Deputeti i LDK’së, Armend Zemaj, në seancën e sotme tha se kurrë s’ka ndodhur që një qeveri të ketë më shumë kontrata njëburimore sesa Qeveria Kurti.
Duke folur për Lëvizjen Vetëvendosje, Zemaj tha se po “dëshmohen që janë hajna të pangopur”.
“Që s’po e mbani edhe një premtim të dhënë s’e kam dert shumë as unë as LDK, sepse tash po ju njohim për mashtrues. Por problemin e kemi me faktin se ju po dëshmoheni se jeni edhe hajna të pangopur. E këtu përtej mashtrimit me kauza të rreme, kjo po ju kushton qytetarëve me miliona euro të keqpërdorura në tri vitet që ju jeni në pushtet përmes aranzhimeve personale, grupore e shoqërore, duke u dhënë tender pa procedurë të hapur, duke eliminuar konkurrencën, duke përjashtuar frymën e ekonomisë së tregut të lirë, në kurriz të cilësisë së mirë e të shërbimeve të mira. Krejt kjo po e shpërfaq pangopësinë e një kaste politike që në pushtet erdhën për t’u pasuruar. Shpejt e errët e duke u munduar t’i fshehni edhe gjërat, dita-ditës po ju dalin në shesh edhe prapë të tjerat do t’ju dalin në shesh”, tha Zemaj.
Ai tregoi për vlerën e kontratave në tri vitet e fundit, derisa ju drejtua partisë në pushtet duke ju thënë “ngoni hajna”.