Përfaqësuesit e Listës Serbe, të udhëhequr nga kryetari i saj Zlatan Elek, u takuan me Përfaqësuesin Special të Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe ambasadorin amerikan në Prishtinë, Geoffrey Hovenier.
Sipas njoftimit për media, përfaqësuesit e kësaj partie theksuan nevojën “për një reagim vendimtar për të parandaluar eksodin e popullit serb nga Kosova”.
Ata theksuan se “eksodi ishte shkaktuar nga vendimet e institucioneve” të Kosovës “që kërcënojnë të drejtat themelore të njeriut – si vendimet për ndalimin e dinarit dhe anulimin e transaksioneve të pagesave”.
“Është edhe vendimi për militarizimin e komunave me shumicë serbe, ndalimi i tregtisë së mallrave me Serbinë, futjen me forcë të kryetarëve të komunave pa legjitimitet në ndërtesat komunale në veri, por edhe persekutimin institucional ndaj serbëve”, thanë përfaqësuesit e Listës Serbe.
Ata përmendën edhe çështjen e pronave të serbëve, si dhe “rrezikimin e funksionimit dhe mbijetesës së Kishës Ortodokse Serbe” në Kosovë.
“E gjithë kjo kërkon një reagim të fortë, energjik dhe urgjent nga bota demokratike, e cila do të parandalonte dëbimin e serbëve nga vatrat e tyre shekullore”, citon kjo parti t’u ketë thënë zyrtarëve amerikanë