Kurti takon kryetarin dhe nënkryetaren e Leposaviqit, flasin për projektet potenciale që mund të realizohen

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, bashkë me ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqin, kanë takuar kryetarin e Leposaviqit, Lulzim Hetemin dhe nënkryetaren Marina Bogojeviq.

Hetemi e Bogojeviq e njoftuan Kurtin për arritjet e deritanishme dhe për sfidat në qeverisjen komunale.

“Në takim u fol për projektet potenciale që mund të realizohen në bashkëpunim me nivelin qendror, teksa u theksua rritja e interesimit të qytetarëve për të aplikuar për programet e komunës për subvencione”, thuhet në njoftimin e qeverisë, transmeton Klankosova.tv.

Kurti e përgëzoi Hetemin e Bogojeviqin për punën, angazhimin dhe kontributin, teksa i kërkoi qeverisje të drejtë, të mirë e demokratike.