Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot ka njoftuar se është pajtuar me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të ia dhënë token e kërkuar Manastirit të Deçanit. Para kabinetit qeveritar, ai ka bërë me dije se ka urdhëruar Agjencinë Kadastrale të Kosovës për të regjistruar token në emër të manastirit.
Por, kryeministri Albin Kurti, presidentja Vjosa Osmani dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca e kishin kundërshtuar fuqishëm vendimin e Kushtetueses për këtë çështje.
Madje, këtë kundërshtim ata e kishin bërë edhe pasi kishin marrë postet më të larta publike. Ndonëse ishin të vetëdijshëm se vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk mund të kontestohet, ata vazhdonin ta sfidonin atë me deklarata publike, duke e cilësuar vendimin si të rrezikshëm.
Para një viti, kryeministri Albin Kurti, në një prononcim për RTK-në, kishte thënë se ai vendim ka për bazë një vendim të kohës së Millosheviqit.
“Unë e kuptoj që Manastiri i Deçanit duhet të ketë një hapësirë, unë e kuptoj që kanë nevojë për qetësinë e ambientit, ndihmën e Qeverisë së RKS-së, mirëpo ne kemi rezervën e zakonshme për vendimet e regjimet e Millosheviqit, të cilat për bindjen time janë pranuar nga Gjykata Kushtetuese, e cila e ka trajtuar një lëndë pa kaluar në faza të zakonshme. Me ç’rast nuk duam t’i dominojmë, por në të njëjtën kohë besoj se duhet të hasim në mirëkuptimin e tyre, se vendimet e regjimit të Millosheviqit nuk mund të jetojnë në shekullin tonë”, kishte thënë Kurti.
Ai e paraqiste si argument shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, si argument për moszbatimin e këtij vendimi.
“Ne nuk mund të kthehemi as para vitit 1999, e as para 2008 e 2012, kur është hequr mbikëqyrja e pavarësisë së Kosovës. Këto janë gjëra të cilat kanë ndodhur në të kaluarën, jemi këtu ku jemi dhe çfarëdo përpjekje për t’u kthyer në të kaluarën unë besoj që nuk mund të ketë të ardhme”, ishte shprehur Kurti.
Të njëjtën gjë e argumentonte edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Në një intervistë për “Radion Evropa e Lirë”, të cilën e kishte dhënë vitin e kaluar, ajo kishte thënë se ky vendim është diskriminues.
“Aty kemi të bëjmë me një vendim që bazohet në vendimet diskriminuese të kohës së Millosheviqit dhe këtu është e gjithë përgjigja. Madje, edhe në vitin 1999 kur Kosova administrohej nga Kombet e Bashkuara, rregullorja e parë e UNMIK-ut në Kosovë lidhur me ligjet e aplikueshme në Kosovë pati paraparë që vendimet dhe ligjet e kohës së Millosheviqit nga marsi i vitit 1989 deri në qershor 1999 janë të pazbatueshme në Kosovë për shkak të natyrës së tyre diskriminuese”, kishte thënë Osmani.
Ajo kishte paralajmëruar se ky mund të jetë një precedent i rrezikshëm.
Madje, shefja e shtetit kishte thënë se zbatimi i këtij vendimi do të krijonte probleme marramendëse në Republikën e Kosovës.
“Unë mendoj që ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm për precedentin që krijohet nga një vendim i tillë, sepse pastaj institucionet e Kosovës nuk mund të thonë ne po e zbatojmë një vendim, i cili buron nga koha e Millosheviqit, por jo edhe qindra e mijëra të tjerë. Pra, do të krijonte probleme marramendëse në Republikën e Kosovës.”, kishte vlerësuar Osmani.
Edhe më i ashpër, ka qenë kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Kojufca.
Në një intervistë për “Rubikon”, të cilin e kishte dhënë në fund të vitit 2021, ai kishte thënë se ky vend nuk duhet të zbatohet.
“Ata që i përkasin shteteve të pjekura, iu duket fort e pranueshme dhe fort e gabueshme sepse bazamenti i shtetit është kur institucioni kryen punën e vet sipas kompetencave. Unë them që ai nuk duhet të zbatohet. Sepse unë kam hy dhe e kam studiu kuadrin ligjor, jo të Gjykatës Kushtetuese, por kuadrin ligjor të pronësisë dhe vendimit politik kur është marrë dhe në bazë të cilit ka marrë Gjykata Kushtetuese. Pra është dimensioni i parë që për mua është skandaloz”, kishte thënë Konjufca.