Dje u bë “shkrumb e hi” Fabrika e Plastikës në Drenas, MINT reagon sot: Shkaqet që kanë shkaktuar zjarrin ende janë të paqarta

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka reaguar sot pas djegies së Fabrikës së Plastikës në Drenas.

MINT përmes një postimi në Facebook ka shkruar se ky zjarr ka shkaktuar dëme të jashtëzakonshme materiale por për fat të mirë pa dëme në njerëz.

“Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë(MINT), dhe Agjencia Për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), ka përcjellur me shqetësimin më të lartë incidentin e krijuar dje në Parkun e Biznesit në Drenas. Dje në vend të ngjarjes ka dalur ekipi nga sektori i Zonave Ekonomike, ku kanë përcjellur nga afër ngjarjen e poashtu kanë takuar edhe pronarin e fabrikës së Plastikës z. Arian Shabani. Kurse gjatë ditës së sotme ka qenë në vendngjarje edhe u.d. Kryeshefi i Agjencisë KIESA, z. Zef Dedaj me bashkëpunëtorë”, ka shkruar MINT.

MINT ka njoftuar se në vendngjarje gjatë gjithë kohës kanë qëndruar ekipet zjarrëfikëse, ekipe nga Ministria e Brendshme e Republikës së Kosovës dhe Policia e Kosovës.

“Shkaqet që kanë shkaktuar zjarrin ende janë të paqarta. MINT me KIESA po monitorojnë zhvillimet dhe jemi në bashkëpunim me autoritetet për të ndjekur zhvillimin e ngjarjes më tej”, ka shkruar MINT në Facebook.