Zjarri që përfshiu një fabrikë të plastikës në Parkun e Biznesit në Drenas, po vazhdon edhe sot por me intensitete të vogël.
Për ndihmën e ofruar për shuarjen e zjarrit, Lladrovci falënderoi komunat tjera e Njësinë Speciale të Kosovës.
“Sot, presim të përfundojë shuarja e plotë e zjarrit, pas punës intensive të zjarrfikësve të komunës së Drenasit, ndihma nga Malisheva, Skenderaj, Prishtina, Lipjani, Rahoveci, si dhe Njësia Speciale e Kosovës dhe KFOR-i. Është djegur Fabrika e Plastikës, me dëme të mëdha për kompaninë, njëherësh është katastrofë ambientale. Falënderoj personat dhe kompanitë, po ashtu edhe mediat të cilat u gjenden pranë zjarrfikësve tanë për të zvogëluar dëmet si dhe raportuan nga vendi i ngjarjes. Shpreh falënderim të veçantë për kompaninë ‘Trasing’ që arriti e para me mjet të madh dhe ka penguar përhapjen e vatrës së zjarrit”, ka thënë Lladrovci përmes një përgjigje me shkrim.
Ndonëse nuk dihet sa mund të jetë vlera e dëmit, Lladrovci ka premtuar ndihmë me mundësitë buxhetore që i ka komuna.
“Ende nuk kemi asnjë informatë nga institucionet që merren me vlerësimin e dëmeve, por, ato duken të konsiderueshme dhe shprehim keqardhje për këtë katastrofë. Buxheti i komunës për rastet e emergjencave është i kufizuar, megjithatë, ditëve në vijim, do të shohim mundësitë, natyrën e ndihmës dhe çfarë ndihme mund të ofrojmë”, u shpreh Lladrovci, duke thënë se nuk kanë shumë informacione për shkaktarin e këtij zjarri.
“Deri më tash, nuk kemi informata rreth shkaqeve të shpërthimit të zjarrit, sigurisht se organet përgjegjëse janë duke punuar rreth raportit zyrtar, do të marrë kohë për të gjetur shkakun dhe pasojat e kësaj katastrofe për kompaninë dhe për ambientin”.