Kryeministri Albin Kurti, bashkë me vartësen e tij Artane Rizvanolli dhe zyrtarë të tjerë të Telekomit, kanë shkuar në Çabër të Zubin Potokut për të testuar shpejtësinë e “Valës” dhe për të kryer disa punë në stacione.
Nga atje, Kurti tha se më parë për punë të tilla u paguan kompani private, ndërsa sot, sipas tij, punojnë punëtorët e Telekomit.
“140 Mbps është shpejtësia e internetit në Çabër të Zubin Potokut. U bë zëvendësimi në stacionin bazë të transmetimit, me kalimin në teknologjinë Ericsson nga ajo Alcatel. Për një montim të këtillë dikur paguheshin nga 7500 deri 8500 euro kompanive private gjersa të punësuarit e Telekomit nuk punonin. Tash, punëtorët e Telekomit instaluan edhe 15 stacione bazë të reja në veri, nga vetëm pesë sosh sa ishin më parë. Telekomi i Kosovës udhëhiqet nga mbulimi dhe cilësia e shërbimit publik dhe jo thjesht nga përfitimi financiar vetjak. Komunikimet elektronike janë e drejtë dhe nevojë e qytetarëve të cilat Telekomi i Kosovës i bën mundësi dhe garanci për qytetarët. Vitet 2024 dhe 2025 janë vite të Kosovës 5G. Vala në çdo cep të shtetit, në çdo vend të Republikës”, ka shkruar Kurti.
Ai pati edhe një mesazh për prokurorët e gjyqtarët e Kosovës të cilin e dha nëpërmjet kryetarit të Sindikatës së Punëtorëve të Telekomit që ishte bashkë me Kurtin në Çabër.
“Me kryeshefen e Telekomit të Kosovës, Burbuqe Hana, Ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, kryetarët e Bordit dhe Sindikatës, Shpëtim Dobra dhe Lamih Balaj, drejtorin teknik, Halil Krasniqin, dhe inxhinierë e punëtorë të tjerë ishim sot në Çabër. Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Telekomit pati një thirrje publike të veçantë për gjyqtarët dhe prokurorët e Kosovës: të jenë në shërbim të Republikës e të publikut dhe jo të oligarkëve që duan ta vazhdojnë rrjepjen dhe gjymtimin e Telekomit të Kosovës”./Express/