Në seancën e së hënës në Gjykatën Themelore në Gjakovë, në gjykimin ku Avni Morina, po akuzohet se në cilësi të Drejtorit të Arsimit në Rahovec ka keqpërdorur detyrën zyrtare, dëshmitarja Mirlinda Gashi, mësimdhënëse në shkollën “Selajdin Mullabazi-Mici”, tha se në këtë shkollë kishte kaluar nga shkolla SHFMU “Nesimi Elshani” pasi kishte bërë kërkesë për transfer.
“Në këtë shkollë, kam kaluar me transfer pasi që kam bërë kërkesën dhe kërkesën e kam bërë në DKA”, tha dëshmitarja Gashi, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ndërsa prokurorja Ardita Beqiraj-Hyseni e ballafaqoi dëshmitaren Gashi me deklaratën e dhënë në Prokurori. E njëjta sipas prokurores kishte thënë se nuk i kujtohet të ketë bërë kërkesë për transfer, ndërsa sot dëshmitarja Gashi deklaroi se ka paraqitur kërkesë për transfer.
“… e vërteta është ajo që po them sot, që unë kam bërë kërkesë për transferim”, tha dëshmitarja Gashi.
Gjyqtari Ilir Rashkaj seancën e 1 shkurt 2024 kishte bërë të ditur se për sigurimin e pranisë së dëshmitarit Refki Kryeziu, gjykata do të urdhërojë Policinë e Kosovës për sjellje me detyrim, mirëpo i njëjti kishte ka qenë i pa arritshëm pasi që gjendet në Gjermani.
Më pas, prokurorja Beqiraj-Hyseni i propozoi gjykatës që seanca të ndërpritet dhe të caktohet ajo e radhës, për të bërë përpjekje për sigurimin e prezencës të dëshmitarit kyç, Refki Kryeziu.
Ndryshe, sipas aktakuzës, Avni Morina po akuzohet se nga muaji janar-qershor të vitit 2021, në cilësinë e drejtorit të Drejtorisë së Arsimit në Rahovec, ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare, duke i shkaktuar dëm të dëmtuarës Xhevahire Hajda, dhe buxhetit të Republikës së Kosovës, në atë mënyrë që i njëjti në zyrën e tij, iu ka mundësuar Refki Kryeziu-profesor në lëndën e Edukatës Fizike në SHMTP “Selajdin Mullabazi” në Rahovec dhe të dëmtuarës së lartcekur që të nënshkruajnë një marrëveshje-deklaratë të përbashkët, të njëjtën e vërteton me vulë zyrtare.
Sipas aktakuzës, nga kjo marrëveshje ka përfituar Refki Kryeziu që të marrë pagën e plotë mujore janar-qershor, pa dalë fare në punë, po ashtu dhe shtesat për COVID-19 në shumë prej 100 euro çdo muaj. Gjatë kësaj kohe sipas kësaj marrëveshje, e dëmtuara Xhevahire Hajda, e kishte zëvendësuar të njëjtin pa përfillur procedurat ligjore për rekrutim, ashtu që pa kontratë i ka mbajtur 26 orë mësimore, duke mos figuruar fare në listën e pagave dhe për muajt janar-shkurt, nuk paguhet fare.
Sipas aktakuzës e dëmtuara nga muaji mars-qershor ishte paguar në mënyrë private nga profesori Refki Kryeziu.
Për këto, i pandehuri Avni Morina po akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 paragrafi i parë i Kodit Penal./BetimipërDrejtësi