MD i përgjigjet menjëherë Szunyog rreth kërkesës për Projektligjin për KPK’në

Shefi i Zyrës së BE’së në Kosovë, Tomas Szunyog, ka reaguar pas miratimit në lexim të parë të Projektligjit për Këshillin Prokurorial, ku tha se pritjet e tyre janë që drafti të përputhet plotësisht me rekomandimet e Komisionit të Venecias para miratimit të ligjit.

Pas reagimit të tij, me një postim ka dalë Ministria e Drejtësisë, ku ka bërë me dije se Komisioni për Legjislacion do t’i adresojë rekomandimet të cilat kanë dalur nga seanca e Komisionit të Venecias më 15 dhjetor 2023 dhe opinioni i publikuar po këtë muaj, raporton Express.

Tutje thuhet se versioni i ri i këtij projektligji parasheh ndryshime të rëndësishme përmes të cilave synohet, llogaridhënie më e madhe, pavarësi funksionale të KPK-së dhe rezultate për të gjithë sistemin

“Kuvendi i Republikës së Kosovës, ka votuar në parim Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e  Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, sponzorizues i së cilit është Ministria e Drejtësisë. Versioni i ri i këtij projektligji parasheh ndryshime të rëndësishme përmes të cilave synohet, llogaridhënie më e madhe, pavarësi funksionale të KPK-së dhe rezultate për të gjithë sistemin.

Po ashtu përmes këtij projektligji janë paraparë ndryshime në përbërjen e KPK-së, në kuptim të arritjes së bilancit të përbërjes me anëtarë prokurorë dhe jo prokurorë. Pas miratimit sot në parim të Projektligjit, Komisioni  për Legjislacion do t’i adresojë rekomandimet të cilat kanë dalur nga seanca e Komisionit të Venecias më 15 dhjetor 2023 dhe opinioni i publikuar po këtë muaj”, thuhet në reagim.