Kryeministri Kurti ka pritur sot në zyrë Bekim dhe Asllan Asllanin, djemtë e ish-luftëtarit të UÇK’së, Mejdi Asllani, i njohur edhe si “Plaku i Emshirit”.
ZKM ka njoftuar se në takim ka marrë pjesë edhe miku i tyre Burim Zagragja.
“Më 7 mars të vitit 1999, familja e Mejdi Asllanit u sulmua nga katër policë të Serbisë, të cilët e morën peng gjithë familjen Asllani, duke ua mbajtur tytat e automatikëve në kokë dhe në gjoks brenda shtëpisë së tyre, në lagjen Emshir të Prishtinës. Mejdiu ishte pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, bashkë me të dy djemtë e tij Asllanin dhe Bekimin. Në një ngjarje të pabesueshme dramatike, Mejdi Asllani bashkë me djalin e tij Asllanin, arritën ta përmbysin situatën falë bombave të dorës dhe një automatiku që e kishin në shtëpi. Atë ditë ata dhanë një shembull të jashtëzakonshëm të rezistencës në kryeqytet”, thuhet në njoftimin e ZKM’së.
Ata në takim kanë kujtuar jetën dhe veprën e tashmë të njderit, Mejdi Asllani.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti priti sot në zyrën tij djemtë e ish-luftëtarit të UÇK-së, Mejdi Asllani, i njohur edhe si “Plaku i Emshirit”, Bekim dhe Asllan Asllani dhe mikun e tyre, Burim Zagragja. Në këtë takim që ishte planifikuar që në fillim të vitit bashkë me Mejdiun që të mbahej pikërisht në shënim të 25-vjetorit të betejës së tij në Emshir, Kryeministri Kurti dhe djemtë Bekimi dhe Asllani sot kujtuan jetën e veprën e tashmë të ndjerit Mejdi Asllanit, një luftëtari me zemër e në mendje, patriot në luftë e në paqe, që vazhdon të na frymëzojë, e që nuk do të harrohet asnjëherë. Mejdi Asllani vdiq me 31 janar të këtij viti. Kryeministri Kurti kishte marrë pjesë në ceremoninë e varrimit e tij.”