Ministri Krasniqi: KQZ duhet ta përfundojë punën për peticionet pastaj të ketë zgjedhje në Veri

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka thënë se Komisioni Qendror i  Zgjedhjeve është duke e trajtuar listën me peticionet e qytetarëve për shkarkimin e kryetarëve në katër komunat veriore. Ai tha se së shpejti KQZ do të deklarohet për procesin.

“Nuk shoh ndonjë pengesë ligjore që do ta bënte të pamundur mbajtjen e këtij votimi”, tha Krasniqi.

Ai në debatin me temën “Efikasiteti dhe ndikimi i peticioneve të qytetarëve si mjet i ushtrimit të të drejtave dhe ndryshime në shoqëri”, i organizuar nga Qendra Mediale në Çagllavicë, tha se kryetarët aktualë nuk kanë legjitimitet të plotë për shkak të pjesëmarrjes së ulët të qytetarëve në zgjedhjet lokale të prillit të vitit të kaluar, por se zgjedhjet është dashur të mbahen.

“KQZ duhet ta përfundojë pjesën e saj të punës dhe duhet të ketë votim në katër komunat së shpejti”. Ai tha se shpreson që qytetarët do të votojnë pa presion dhe pa ndikim.