Kurti takohet me ambasadorin e ri jorezident të Malajzisë në Kosovë, flasin për bashkëpunimin mes dy vendeve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mirëpritur sot në takimin e parë ambasadorin e ri të Malajzisë në Kosovë, Zahid Rastam.

Duke i uruar mirëseardhje dhe mbarësi në detyrën dhe përgjegjësitë e reja, kryeministri Kurti i shprehu ambasadorit Rastam mirënjohjen e tij për mbështetjen e Malajzisë ndaj Kosovës, veçanërisht në arenën ndërkombëtare, dhe partneritetin strategjik për Kosovën dhe rajonin.

Diskutuan për raportet dypalëshe dhe për mundësitë dhe fushat premtuese për thellim të bashkëpunimit dhe shkëmbimeve ndërmjet dy vendeve, përfshirë sektorin e tregtisë, teknologjisë e agrikulturës.

“Kryeministri Kurti e njohu ambasadorin Rastam me rezultatet dhe politikat e qeverisjes, progresin e shënuar në ekonomi dhe demokraci të vendit, dhe për ofertën e Kosovës për investimet të huaja. Me këtë rast, kryeministri u bëri ftesë bizneseve nga Malajzia që të vizitojnë dhe konsiderojnë Kosovën si vend për investime”.