Deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar pas ftesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë ndaj gazetarit, Lirim Mehmetaj, i cili është ftuar për intervistim në cilësinë e të dyshuarit.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Hoti ka thënë se ka qenë gjuha e urrejtjes që ka përdorur Lëvizja Vetëvendosje sa ishte në opozitë, ka shtyrë turmat të marrin veprime radikale ndaj zyrtarëve shtetërorë, të partive politike e objekteve të institucioneve.
Sipas tij, shteti tani po merret me gazetarin Mehmetaj.
“Gjuha e urrejtjes që ka përdorur partia, e cila tani është në pushtet, ndaj kujtdo që e ka kritikuar sa ishte në opozitë ka shtyrë turmat: të dëmtojnë objektin e Qeverisë, të dëmtojnë veturat zyrtare para Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, të djegin veturat private të disa zyrtarëve, të linçojnë zyrtarë të shtetit e të partive politike, gazetarë e analistë.
Askush nuk është thirrur në përgjegjësi për gjuhën e urrejtjes dhe nxitjes. Bile po lirohen edhe për gazin lotësjellës të hedhur në Kuvend, të cilin veprim e ka parë gjithë bota përveç gjykatës.
Tani merren me një gazetar, i cili është i pa kompromis ndaj qeverisjes së mbrapshtë që ka katandisur vendin në armiqësi me botën demokratike.
Unë jam me gazetarin Lirim Mehmetaj. Unë do t’i bashkohem çdo proteste që i del në mbrojtje atij dhe të tjerëve që flasin lirshëm, që flasin sipas bindjeve të tyre.
Demokracia duhet të mbrohet, jo vetëm me mbështetje në rrjete sociale. Ne nuk guxojmë të mbyllim sytë para këtyre veprimeve”, shkroi Hoti.