Mesazhi i Lajçak – Heqja e masave të BE-së varet nga dërgimi i Zajednicës në Kushtetuese

Kryeministri Albin Kurti duket se ka bërë një “autogol” të rëndë në procesin dialogues me Serbinë.

Marrëveshja dhe aneksi që pranoi në Bruksel e Ohër i ka dalë “thikë me dy teha” kryeministrit Kurti, shkruan Demokracia.com.

Në marrëveshje parashihet themelimi i “Asociacionit të komunave me shumicë serbe” apo siç parapëlqen ta quajë Kurti, “Zajednica”.

Pranimi i marrëveshjes e moszbatimi i saj po rezulton të ketë dëme të mëdha. Heqja e masave ndëshkuese të BE-së karshi Kosovës është i lidhur me zbatimin e marrëveshjes, ku përfshihet “Zajednica” që e ka pranuar Kurti.

Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, dje qëndroi në Kosovë ku u takua me kryenegociatorin Besnik Bislimi.

Pas takimit, Lajçak zbuloi se heqja e masave ndërlidhet me dërgimin e “Zajednicës” në Kushtetuese.

“Reagimi im i menjëhershëm pas Banjskës ishte thirrja për heqjen e masave për hir solidariteti. Kam pasur shumë diskutime për këtë temë brenda strukturave të BE-së, por edhe me shtetet anëtare dhe jo të gjithë e ndanin pikëpamjen time, pasi që ndjenja e ndarë nga shumë anëtarë është se BE-ja dëshiron të shoh një sinjal të qartë pozitiv nga Qeveria e Kosovës”, ishte shprehur fillimisht Lajçak.

“Një nga ato opsione që sigurisht do të konsiderohej si sinjal pozitiv ishte mundësimi i zgjedhjeve të reja të shpejta lokale në veri të Kosovës dhe mënyra më e shpejtë vazhdon të jetë dorëheqja e kryetarëve të komunave. Një sinjal tjetër pozitiv do të ishte dërgimi i Draftstatutit Evropian për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim ligjor. Fatkeqësisht, asnjë nga këto nuk ka ndodhur”, tha tutje emisari evropian.

Kryeministri Kurti po kërkon që marrëveshja e dakorduar në Bruksel të nënshkruhet, por ShBA ia ka bërë me dije disa herë se marrëveshja është e obligueshme ligjërisht edhe pa nënshkrime.