Kryediplomati Cameron: Po investojmë në vendet ku nevojitet stabiliteti, siç është Kosova

Ish-kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, David Camron, i cili tash mban pozitën e ministrit të Punëve të Jashtme, ka bërë një përmbledhje të punës së tij 113 ditore.

Përmes një videoje të publikuar në platformën X, Cameron s’ka lënë pa përmendur edhe Kosovën, të cilën e zgjodhi si shtetin e parë për vizitë zyrtare në vitin 2024.

Në periudhën ku në fokus janë konfliktet në Ukrainë e Gaza, Cameron ka vendosur në agjendën e tij edhe Kosovën, për çka tha se po investojnë në vendet ku nevojitet stabiliteti.

“Kam vizituar dhe Ballkanin ku ne jemi duke investuar në shtetet që kanë nevojë për stabilitet, siç është Kosova”, tha Cameron në videon e tij.

Kujtojmë se mbrëmjen e 3 janarit, Cameron u prit në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës ‘Adem Jashari’, nga homologia e tij kosovare, Donika Gërvalla Schwarz, për t’u takuar më pas me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti.

Cameron nuk ka hezituar ta shpreh krenarinë e tij për mbështetjen që Mbretëria e Bashkuar i ka dhënë Kosovës, duke e bërë të qartë faktin dhe mbështetjen e palëkundur për shtetin më të ri në Evropë.

Cameron ka theksuar rëndësinë e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, gjë në të cilën tha se edhe Britania po investon.

Kujtojmë se kur Kosova shpalli pavarësinë më 17 Shkurt 2008, Mbretëria e Bashkuar u bë një nga vendet e para që e njohu zyrtarisht Kosovën sovrane më 18 shkurt të vitit 2008.