Studenti kosovar i “Cambridge”, Leart Ajvazaj, ka pasur një diskutim të ashpër me ish-ministrin serb, Vuk Jeremiq në një panel diskutimit.
Kur i është dhënë fjala, Ajvazaj ia ka përmendur Jeremiqit një e nga një faktet e luftës, gjenocidin e kryer në Kosovë nga shteti serb si dhe të gjitha veprimet tjera për të cilat është përgjegjeëse Serbia, shkruan lajmi.net.
Në fjalimin e tij që e përfundoi me një pyetje, Ajvazaj ishte shumë i zjarrtë dhe pompoz.
“Ky muaj shënon 25 vjetorin që prej se 45 shqiptarë u dëbuan nga shtëpitë e tyre të vogla në Reçak dhe u vranë nga trupat serbe. Në Serbi sot kjo konsiderohet konspiracion dhe ky është qëndrimi i shtetit serb, shtet ky të cilit i shërbeni ju. I njëjti shtet që vrau 13 mijë civilë dhe dhunoi mijëra gra më 1998-1999 dhe dëboi gjithashtu një million shqiptarë nga shtëpitë e tyre përfshirë edhe familjen time. Unë nuk kam dëgjuar ndonjë kërkimfalje nga shteti serb, ju sigurisht nuk keni lëshuar ndonjë gjatë kohës që keni shërbyer si ministër i Jashtëm. Dhe ju tani flisni për Millosheviqin sikurse të ishte Sadam Husein, si diktator dhe thoni se tash nuk ka diçka të tillë. Eh po kjo qartë nuk është e vërtetë sepse nëse shikoni Serbinë para Millosheviqit për aq kohë sa Kosova ka qenë e okupuar nga Serbia dhe persekutimi i shqiptarëve ishte edhe në kohën e Qubriloviqit dhe Andriqit, pra planet e njëjta.
Më tutje, ai i tha Jeremiqit se serbët bëhen kinse nuk e duan politikën që kishte pasur Millosheviq, mirëpo që Vuçiq, sipas tij sillet në të njëjtin rreth ideologjik dhe veprues sikurse “kasapi i Ballkanit”.
Ai madje përmendi edhe faktin se Vuçiq ishte ministër i Informimit i Millosheviqit.
“Si i përgjigjeni këtyre fakteve? Sepse unë besoj tek një gjë që quhet “e vërteta”. Ju ndoshta mund të thuani oh, trupat e pajetë që u gjetën në Batajnicë, ndoshta shkuan vet deri atje dhe vdiqën, ndoshta kjo është e vërteta juaj, por pyetja ime është si përballeni me këto fakte?”.