Ish-kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviqi i ka ‘thur lavde’ kryeministrit të Shqipërisë, Edi Ramës për punën që bën dhe ka bërë ai.
Madje ai e quajti edhe “baba të kombit”, kryeministrin shqiptar, duke shtuar se këtë epitet e meriton.
E lidhur me këtë, ai tha se Edi Rama dhe mënyra se si ai ka udhëhequr kanë fuqizuar edhe kryeministrin e vendit tonë, Albin Kurtin.
Mirëpo, Abazoviq nuk e la anash as veten se mund të jetë fuqizuar nga Edi Rama.
“Sa i takon Albin Kurtit unë kam pasur respekt për të, tërë ministrat kanë pasur respekt, kemi pasur një raport të mirë. Ai raport ndoshta nuk ka qenë në nivel siç ka qenë me kryeministrin e Shqipërisë, por kjo ka të bëjë vetëm ndoshta me takimet më të pakëta dhe nuk ka asgjë personale”, u shpreh Abazoviq.
“Unë e quaj baba i kombit dhe ka shumë kritika në këtë aspekt se pse e afirmoj. Edi Rama ka bërë për shqiptarët që nuk ka bërë deri tash asnjë politikan dhe shumë zor se mundet me bë dikush.
“Vizibilitetin ndërkombëtar që e ka Shqipëria dhe kryeministri i saj është i pazëvendësueshëm. Ai meriton epitetin e “babai i kombit”. Ai ka bërë transformim mental. Kjo gjë më ka fuqizuar mua, mendoj se e ka fuqizuar edhe Albin Kurtin”, ka thënë Abazoviq në një intervistë në Klan Kosova.