Punëtori i cili u rrëzua sot në vendin e punës në Skënderaj, ka vdekur.
Rastin e ka konfirmuar për “Jepi zë” zëdhënësi i Policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.
“Rreth orës 16:00, është raportuar se në rrugën ” Ahmet Delia” në Skenderaj, nga një objekt në ndërtim e sipër është rrëzuar dhe ka pësuar lëndime viktima (punëtor) i moshes rreth 60 vjeçar, i njëjti me urgjencë është dërguar në QKUK.
Ndërsa rreth orës 20:30, nga QKUK është njoftuar se i lënduari-viktima R.R., 60 vjeçar, ka vdekur. Me urdhër të prokurorit trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në obduksion”, tha Zahiti.
“Jepi zë” ka raportuar se punëtori është rrëzuar nga rreth 3 metra lartësi, por kishte rënë me kokë dhe ishte lënduar rëndë.
Ai u dërgua fillimisht në spitalin e Mitrovicës, pastaj në QKUK ku edhe vdiq.
Sipas burimeve brenda Inspektoratit, mësohet se punëtori ishte pa kontratë pune dhe i padeklaruar në ATK.
Kujtojmë se i gjithë rajoni i Mitrovicës mbikëqyret nga dy inspektorë, për të cilët është raportuar disa herë se nuk mjaftojnë.