Ndihma nuk vjen falas, dinari është çështje për dialog, Qeveria ta miratojë draft-statutin e Asociacionit, veprimet e qeverisë kanë ndikuar të cenohen raportet, s’ka nevojë për konferencë ndërkombëtare, janë mesazhet e Jeffrey Hovenier, për qytetarët e Kosovës.
Këto komente, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë i bëri në një bashkëbisedim me gazetarët në Prishtinë, më 29 shkurt, ku foli gjerë e gjatë në lidhje me atë se si shteti që ai përfaqëson qëndron me çështjet e ndjeshme në të cilat është duke kaluar aktualisht vendi.
Hovenier, kohëve të fundit, ka shpeshtuar daljet dhe deklaratat e tij publike, dhe krejt kjo pas vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), për ndalimin e dinarit serb për pagesa në territorin e Kosovës, i cili, siç kanë thënë ShBA-të, u mor pa u koordinuar me ta, dhe se i njëjti ka cenuar raportet mes dy shteteve respektive.
Në këtë bashkëbisedim me gazetarët, Hovenier ka folur edhe rreth disa lajmeve se do të ketë sanksione ditëve të ardhshme për ministra e politikanë të Qeverisë së Kosovë, por tha se të njëjtat janë krejtësisht informacione të pavërteta.
“Jam në dijeni se gjatë vikendit kishte disa raportime jo korrekte dhe të papërgjegjshme rreth vendimeve nga qeveria e SHBA-ve në raport me distancimin ndaj disa individëve për shkak të politikave të caktuara, por ne nuk para-flasim për vendime për sanksione derisa ta bëjmë vetë publikisht”, pohoi Hovenier.
Ai theksoi se kur SHBA-të vendosin të sanksionojnë dikë, ajo kuptohet nga vetë ata dhe në formë krejt të qartë e direkte.
“Mund t’iu them që nëse do ta sanksionojmë dikë, do ta dini dhe mënyra se si do ta dini nuk është për shkak të ndonjë llogarie në Twitter nga burime të dyshimta, por do të jetë si rezultat i një deklarate krejtësisht të qartë të Qeverisë amerikane. Kjo nuk ka ndodhur. Nuk besoj se do të ndodhë”, shtoi.