Një punëtor ndërtimi ka pësuar aksident gjatë ditës së sotme në vendin e punës.
“Jepi zë” mëson se punëtori është rrëzuar nga rreth 3 metra lartësi, por ka rënë me kokë dhe është lënduar rëndë.
Punëtori u dërgua fillimisht në Spitalin e Mitrovicës dhe ishte në gjendje të rëndë.
Rastin e ka konfirmuar për “Jepi zë” edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.
Zahiti tha se punëtori tashmë është dërguar për në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
“Nga informatat e para, dyshohet që një punëtor është rrëzuar në Skënderaj. Ai u dërgua tani në QKUK”, tha ai.
Gazeta raportoi se punëtori është i moshës rreth 60 vjeçe. Ai punonte në një kompani nga Drenasi, por që kryente punë në Skënderaj.
Sipas burimeve brenda Inspektoratit, mësohet se punëtori ishte pa kontratë pune dhe i padeklaruar në ATK.
Kujtojmë se i gjithë rajoni i Mitrovicës mbikëqyret nga dy inspektorë, për të cilët është raportuar disa herë se nuk mjaftojnë.