Ambasadori i Ukrainës në Shqipëri, Volodymyr Shkurov, ka folur edhe për mundësinë e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Ukraina.
Ai u shpreh se Kievi është i njohur me ndihmën e Kosovës për vendin e tyre dhe se çështja e njohjes së pavarësisë është në agjendë.
“Ne e dimë për ndihmën e Kosovës dhe e vlerësojmë atë. Sigurisht që kjo çështje është në agjendë, siç e ka përmendur Ukraina, sot po mendojmë si të dalim nga zjarri i luftës dhe çështja e Kosovës ka më shumë karakter politik ku duhet të jenë të llogaritura edhe disa elemente të cilat ndoshta nuk duken në vija të përgjithshme”, ka thënë Shkurov për News24.
“Pata përshtypje se më shumë se gjysma e një fjalimi të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti i është dedikuar Kosovës gjatë një samiti të zhvilluar online. Kam takuar Presidenten e Kosovës nga e cila kam kuptuar solidaritetin e plotë që ekziston ndaj Ukrainës. Nuk ka asgjë të pamundur, aktualisht është çështje kohe”, u shpreh ai.