Sërish, Kosovës i kërkohet zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit.
Duket se shteti s’mund të lëvizë përpara me anëtarësimin në Këshillin e Europës pa ia njohur Manastirit pronësinë mbi tokën. Kërkesën e vazhdueshme të ndërkombëtarëve, e rikthyen dje ambasadori i Gjermanisë dhe shefi i EULEX-it.
Institucionet e Kosovës vazhdojnë t’i rezistojnë kërkesës së ndërkombëtarëve për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për tokën te Manastiri i Deçanit, buzë lumit Lumbardh, dy kilometra larg qendrës së qytetit.
Këto ditë, edhe një herë tjetër vëmendja e të huajve u kthye atje.
Shefi i EULEX-it, misionit të Bashkimit Europian për sundim të ligjit, Giovanni Barbano dje kërkoi zbatimin e vendimit të Kushtetueses për Manastirin e Deçanit.
“Vënia në pikëpyetje e Gjykatës Kushtetuese dhe vendimeve gjyqësore minon pavarësinë e gjyqësorit, duke gërryer shtetin e së drejtës. Vendimi i vitit 2016 për Manastirin e Deçanit është i detyrueshëm për të gjithë personat dhe institucionet, pa përjashtim”, shkroi ai në “X”.
Postimin e tij e shpërndau ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka kërkuar që Qeveria e Kosovës të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit.
“Gjenerali Barbano ka 100% të drejtë. Të gjithë miqtë dhe partnerët i bëjnë thirrje Kosovës: Thjesht bëjeni!”, shkroi Rohde.
Një ditë më herët, të martën, ambasadori gjerman i çoi 7 deputetë në Manastirin e Deçanit. Klerin serb, Sava Janjiq e falënderoi “për diskutimin dhe mikpritjen”.
Muajin e kaluar, Rohde tha se Kosova nuk do ta shohë veten në Këshillin e Europës nëse nuk e zbaton vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit.
“Asnjë qeveri e Kosovës nuk e ka zbatuar këtë vendim. Nganjëherë duhet kohë për ta bërë gjënë e duhur, por unë nuk e shoh kandidimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës të jetë i suksesshëm nëse kjo çështje nuk zgjidhet. Shpejt do të ketë një diskutim rreth tij dhe rekomandime do të bëhen se çfarë duhet të bëhet para votimit të pranimit dhe kjo çështje do të jetë në mesin e atyre rekomandimeve”, ka thënë ai në një intervistë për “Kosovo Online”.
Disa ditë pas kësaj deklarate, presidentja Vjosa Osmani pati një takim me ambasadorin gjerman, Jorn Rohde, ku kishin folur për çështjen e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Europës.
“Në takim u diskutua për zhvillimet e fundit në vend, si dhe për mundësitë e thellimit tutje të bashkëpunimit Kosovë-Gjermani. Në këtë drejtim, Presidentja Osmani dhe ambasadori Rohde biseduan për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, me ç’rast Presidentja Osmani potencoi rëndësinë e veçantë që ky proces të përmbyllet me sukses”, ishte thënë në njoftimin e Presidencës.
Takimet e zyrtarëve të Qeverisë me delegacionin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës janë përmbyllur pa detaje për raportin që KiE e pati nxjerrë për Kosovën. Në atë raport, përveç ndërhyrjeve në gjyqësor, ekzekutivit i ishin përmendur edhe vendimet e pazbatuara të gjykatave.
Ekspertët e KiE, në raportin e parë, mes rekomandimeve kishin përmendur edhe zbatimin e aktgjykimit që ia njeh pronësinë mbi atë tokë Manastirit të Deçanit dhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Institucionet nuk kanë dhënë shenja se do ta lejojnë Manastirin e Deçanit t’i regjistrojë në kadastër 24 hektarë tokë dhe pyll, pasi thonë se ajo i është marrë ndërmarrjeve shoqërore, fabrikës së mjaltit “Apiko” dhe hotelit “Iliria”.
Kryeministri Albin Kurti thotë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese bazohet në politikën diskriminuese të Serbisë nga vitet ’90, duke i injoruar kërkesat e vazhdueshme të BE-së dhe SHBA-së për ta zbatuar atë.
Nga viti 2000 deri në vitin 2016 kishte zgjatur procesi gjyqësor për atë tokë, deri kur Kushtetuesja vendosi në favor të Manastirit.