Komuna e Skenderajt ka dalë me një sqarim rreth organizimit të Epopesë së UÇK-së.
Në njoftimin e lëshuar thuhet se është hera e parë që Komuna e Skenderajt përjashtohet nga Këshilli Organizativ për shënimin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila mbahet me 5, 6 dhe 7 Mars, me aktivitete të ndryshme në Prekaz dhe në qytetin e Skenderajt.
“Komuna e Skenderajt gjithmonë ka qenë pjesë e organizimit të Epopesë dhe me punë, angazhim e përgjegjësi të lartë ka kryer detyrat e saj për mbarëvajtjen sa më të mirë gjatë gjithë viteve të kaluara, duke treguar bashkëpunim të shkëlqyer me të gjitha qeveritë qendrore nën patronatin e të cilave organizohet ky shënim”.
“Epopeja e UÇK-së është ndër ngjarjet më madhështore e cila gjithmonë dhe çdoherë ka personifikuar unitetin, afrimin dhe mirëkuptimin e të gjithë shqiptarëve dhe asesi përqarjen e përjashtimin”, thuhet në njoftim.
Tutje shtohet se përkundër kësaj, Komuna e Skenderajt do të vazhdojë që këtë ngjarje ta shënojë me aktivitete të shumta sipas agjendës zyrtare.