Hovenieri nuk mundi ta quajë të fuqishëm partneritetin me Kosovën, i tregoi dy arsyet

Ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, ka folur sot për gjendjen e partneritetit midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës pas situatës me dinarin.

Hovenieri e ka pranuar që mënyra se si qeveria e ka trajtuar këtë çështje e ka prekur partneritetin midis dyja vendeve, dhe se ShBA-ja nuk do që situata të jetë kësisoj.

“Nuk besoj që partneriteti është diçka binare. E shoh me më shumë nuanca se kaq. Ne mund të kemi një partneritet të fuqishëm. Ne mund të kemi partneritet më pak të fuqishëm, partneritet të pamjaftueshëm, por nuk e mendoj thjesht si ‘po’ ose ‘jo’”, ka thënë Hovenieri sot në një bashkëbisedim me gazetarët, njofton Klan Kosova.

“Ne nuk po e bëjmë këtë, siç e thashë, për ta mbrojtur dinarin. Ne po e bëjmë këtë sepse është e rëndësishme për Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë, sepse nuk jemi fare të vetëm në tërë këtë gjë, që qeveria e Kosovës të veprojë në një mënyrë që është konsistente me zotimet që i ka bërë në mënyrë që të sigurohet që të gjithë anëtarët e shoqërisë së saj, përfshirë edhe anëtarët e komuniteteve minoritare, përfshirë edhe komunitetin etnik serb në Kosovë, mund të jetojnë në kushte dinjiteti dhe sigurie”.

“Ne besojmë që kjo po i rrezikon njerëzit e cenueshëm, ne besojmë që kjo po shkakton shqetësim real në një komunitet dhe që kjo është e panevojshme. Prandaj e ka afektuar cilësinë e partneritetit tonë. Nuk mund të them më shumë tani përpos asaj që nuk duam që të jetë kësisoj”.

“Ne besojmë që arsyeja e reduktimit të cilësisë së partneritetit tonë, arsyeja se pse nuk mund t’ju them që partneritet ynë është i fuqishëm është për shkak të kësaj zgjedhjeje, dhe për shkak të përgjigjes së pamjaftueshme deri më tani të qeverisë ndaj shqetësimeve që i kemi ngritur, andaj do ta lë me kaq pyetjen për partneritetin”.