Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, mbrëmë ka qenë e ftuar në emisionin “ZEN” me Artan Behramin në T7.
Kur u pyet për mbajtjen e zgjedhjeve të reja në Kosovë, aj tha se nuk kanë pasur diskutim përmbajtesor për proces zgjedhor.
“Të gjithë kemi qenë të bindur se mandati është i plotë. Ne i kemi lënë tri vjet, në mars bëhen tri vite të legjislaturës që jemi betuar, por nuk mundesh me thanë që nuk je hy në vitin e katërt dhe në vitin e fundit edhe si legjislaturë edhe si ekzekutiv. Tash sipas rrethanave që parashikohen edhe prej diçka tjetër jashtë politikës, dmth me dinamikën e jetës në Kosovë, mundet me qenë ose fundi i verës këtë vit ose mund të shkojë deri në fund, që mundet me ardhë shkurti i vitit të ardhshëm. Mundet po them se nuk ka indikacione, por ajo bëhet nëse ka konsensus”, tha Kusari- Lila.
Kusari tha se nuk beson “që s’ka me pas situatë të jashtëzakonshme që ka me çu vendin në zgjedhje”.
Ajo tha se zgjedhjet e ardhshme do të jenë prapë befasuese njëjtë siç ka qenë 2021’ta.
“Për faktin se në procesin nëpër të cilin është Kosova aktualisht, është njëfarë përmbyllje se çka u nis ma herë në kuptimin e funksionalizimit”, shtoi ajo.
Ajo foli edhe për mënyrën se si po bëjnë opozitë partitë që janë në opozitë.
“Mënyra e opozitës nga Vetëvendosje ka qenë për kauzat të cilave ata u kanë qëndru besnikë, këtyne u luajnë, sa ia nisin për një çështje, harrohet, vjen një tjetër, harrohet ajo, hajt po mundohen me i kriju do skandale. Pesë kërkesa për komisione hetimore janë, seriozisht po e bëj pyetjen a jeni tu dashtë mu bo hetuesë a deputetë vlla. Na kemi komision hetimor për çështje që është në prokurori. Vetëvendosja ka nisë komisione hetimore për me i çu rastet në prokurori, për me ia ngrit vëmendjen organeve të rendit se diçka nuk është në rregull. Ata kanë nis komisione hetimore masi ka arrestu prokuroria”, tha Kusari në “ZEN”.
“Tregom ti, kur del në zgjedhje çka don me iu thon qytetarëve ‘votomni se unë kam me ju hetu tanve’ a?”, tha ajo.