Caktohet një muaj paraburgim ndaj shoferes që shkaktoi aksidentin në Prishtinë, ku mbeti i vdekur 26 vjeçari nga Deçani

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar një muaj paraburgim ndaj shoferes Y.B e cila ka shkaktuar aksidentin me fatalitet tek Ministria e Arsimit në Prishtinë.

E pandehura Y.B me datë 26.02.2024 në Prishtinë dyshohet se nga pakujdesia, derisa ishte duke ngasur automjetin e saj, kishte vepruar me kundërshtim me rregullat e trafikut rrugor.

Gjykata thotë se ngasesja nuk e ka përshtatur shpejtësinë e automjetit dhe kushteve të rrugës, prandaj në mënyrë të pa kontrolluar e ka goditur shtyllën e semaforit, i cili rrëzohet dhe godet këmbësorin SH.H, me çka tani të ndjerit i kishte shkaktuar lëndime të rënda trupore, si pasojë e të cilave ka ndërruar jetë.

Ndërkaq, për pretendimin e Prokurorisë lidhur me mundësinë e ndikimit të të dyshuarës Y.B., në prova apo dëshmitarë, sipas gjykatës janë pretendime të paarsyetuara dhe pararafrazim i dispozitave, pasi që në kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit nuk ceket se në cilin dëshmitar apo prova mund të ndikohet.

Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.