BQK nuk heq dorë as pas takimit me serbët: Nuk e ndryshojmë kornizën ligjore në fuqi

BQK ka dalë me komunikatë zyrtare në lidhje me takimin që zyrtarë të këtij institucioni patën sot në Bruksel me palën serbe nën ndërmjetësimin e sllovakut, Mirosllav Lajçak.

Në një njoftim për media, BQK tha se ka paraqitur argumentet lidhur me rregulloren për dinarin serb, shkruan lajmi.net.

“Autoriteti kushtetues dhe ligjor i BQK-së dhe rregullimi i vendosur nga BQK-ja nuk u vu në diskutim apo kontestua nga BE-ja, megjithatë janë ngritur disa brenga për ndikimin e mundshëm te qytetarët tanë të komunitetit serb. Ndaj edhe është vlerësuar e nevojshme pjesëmarrja për të dhënë sqarime të duhura lidhur me këto shqetësimet si dhe argumentuar praktikisht mundësitë ligjore dhe teknike ekzistuese të transferimit të mjeteve financiare”, tha BQK.

Sidoqoftë, BQK tha se është e gatshme të bëj lehtësime, mirëpo pa ndryshimin e rregullores aktive.

Njoftimi i plotë:

Një delegacion i lartë i Bankës Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) mori pjesë në takim me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian në Bruksel, të kryesuar nga Z. Miroslav Lajčák.

Gjatë këtij takimi, delegacioni i BQK-së ka informuar dhe paraqitur argumentet lidhur me Rregulloren për Operacione me Para të Gatshme.

Autoriteti kushtetues dhe ligjor i BQK-së dhe rregullimi i vendosur nga BQK-ja nuk u vu në diskutim apo kontestua nga BE-ja, megjithatë janë ngritur disa brenga për ndikimin e mundshëm te qytetarët tanë të komunitetit serb. Ndaj edhe është vlerësuar e nevojshme pjesëmarrja për të dhënë sqarime të duhura lidhur me këto shqetësimet si dhe argumentuar praktikisht mundësitë ligjore dhe teknike ekzistuese të transferimit të mjeteve financiare.

Me tutje, BQK-ja ka elaboruar në detaje zgjidhjet e mundshme teknike të transferimit të mjeteve përmes kanaleve bankare dhe me transparencë, për të fasilituar në zgjedhjen e opsionit me të lehtë për procesin e transferimit të mjeteve në llogaritë e përfituesve (në Euro), në pajtim me rregullativën ligjore në fuqi.

Delegacioni i BQK-së pas këtij takimi, me sugjerimin dhe nën organizimin e BE-se takoi edhe delegacionin teknik të Ministrisë se Financave të Serbisë, ku brenda mandatit të saj paraqiti dhe diskutoi opsionet e paraqitura nga BQK-ja dhe u argumentua mundësia dhe lehtësia e realizimit të tyre në praktike nëse një vullnet i tillë ekziston nga pala dërguese, pa asnjë ndryshim të kornizës ligjore në fuqi.