Qe gati një muaj Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur procesin e verifikimit të nënshkrimeve të mbledhura për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë në katër komunat veriore. KQZ nuk ka ndonjë afat të caktuar kohor brenda të cilit duhet ta kryejë këtë proces. Ndërsa, presidentja Osmani ka thënë se heqja e masave të BE’së kundër Kosovës është e lidhur me mbajtjen e zgjedhjeve të reja në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.
Më 29 janar KQZ njoftoi se kanë filluar procesin e verifikimit të nënshkrimeve të mbledhura në peticionin e organizuar në katër komunat në Veri të Kosovës. Një proces i tillë, zëdhënësi Valmir Elezi, pati thënë se do të marrë kohë pa dhënë një datë të caktuar se kur do të përfundojë.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar procesin e verifikimit të nënshkrimeve të mbledhura në peticionin e organizuar në komunat: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok. KQZ, në përputhje me legjislacionin në fuqi, do të verifikojë këto lista me nënshkrime, pra nëse personat që kanë nënshkruar janë qytetarë me të drejtë vote në komunën përkatëse. Sigurisht se ky proces do të na marrë kohë pasi të dhënat që i kemi pranuar janë të mbledhura në format fizik, andaj nuk mund të jap ndonjë datë të saktë, por pas përfundimit të tij, do të njoftojmë Ministrinë, Kryesuesit e Kuvendeve Komunale, Kryetarët e Komunave dhe Grupet Nismëtare. Natyrisht se përgjigja e KQZ-së do të bëhet edhe publike”, kishte thënë Elezi./Express