Përkundër pranimit të veprës, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca është liruar sot nga akuza për hedhje të gazit lotsjellës në parlament, në një aktgjykim të shpallur sot në Gjykatën Themelore. Lidhur me këtë ka reaguar deputeti i LDK-së, Driton Selmenaj.
Ai vendimin e gjykatës e quan “skandaloz, të papranueshëm dhe kundër drejtësisë”.
“Drejtësia kosovare vendosi edhe një standard unik në drejtësi! Kryerësi i veprës penale, në rastin konkret Glauk Konjufca, e pranon kryerjen e veprës penale por gjyqtarja Edita Çanta nuk ja pranon këtë fakt. Një aktgjykim i tillë nuk mund të quhet ndryshe veçse skandaloz, i papranueshëm dhe kundër drejtësisë”, shkruan Selmanaj.
Tutje ai thotë se ky vend ka nevojë për njerëz me integritet dhe profesionalizëm për ta ndërtuar shtetin ku sundon rendi dhe ligji.
“Rasti i tillë nxjerrë në shesh mungesën e integritetit profesional dhe njerëzorë të atyre që janë të thirrur për të ndarë drejtësi. Gjyqtarët dhe prokurorët duhet ta kuptojnë se pushtetet vijnë e shkojnë, politikanët ndërrohen nga vota e qytetarëve, por ky vend ka nevojë për njerëz me integritet dhe profesionalizëm për ta ndërtu shtetin ku sundon rendi dhe ligji. Ky turp duhet të marr fund!”.