Haradinaj: Jemi në rrezik me humb SHBA-në, t’i japim fund qeverisë anti-shtet të Albin Kurtit

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, është shprehur i shqetësuar për vendin sepse thotë se jemi në një fazë vendimtare politike.

Sipas tij, Kosova po rrezikon humbjen e gjërave që i ka arritur deri tash, sidomos miqësinë me SHBA-në. Kësisoj, Haradinaj pohon se në këtë situatë duhet dhënë fund “qeverisë anti-shtet të Albin Kurtit”.

Në një postim në profilin e tij në Facebook, Haradinaj informon se sot Kryesia e Aleancës në Pejë ka nisur “ciklin e diskutimeve për veprimet konkrete të mobilizimit të saj dhe të shtrirjes e të forcimit të Bashkimit”, i cili sipas tij, “tashmë e ka krijuar bërthamën e vet me Nismën Social-Demokrate, Klubin e Intelektualëve E-30 dhe me Listën Konservatore”.

“Ky bashkim politik do të rritet dhe nuk do të ndalemi deri sa ta krijojmë masën kritike që i jep fund kësaj logjike antikombëtare qeverisëse dhe aspak nuk është e rastësishme, pse nga Peja”, shkruan ai..

Ai thekson se “Kosova është përcaktuar në rrugën e vet euro-atlantike dhe partneriteti me aleatët, veçmas me Amerikën”.