KFOR-i ka përgënjeshtruar disa thashetheme që po qarkullojnë në rrjetet sociale se gjoja ata ua kanë ndaluar disa zyrtarëve kosovarë të udhëtojnë në veri të Kosovës.
Përmes një njoftimi për media KFOR-i njofton se këtë pretendime nuk qëndrojnë dhe se misioni i NATO-s nuk ndërhyn kurrë në lirinë e lëvizjes së individëve nëpër Kosovë.
“Misioni i KFOR-it i drejtuar nga NATO dëshiron të sqarojë se thashethemet që qarkullojnë në rrjetet sociale që pretendojnë se KFOR-i po ndalon disa zyrtarë kosovarë të udhëtojnë në veri të Kosovës janë të pabaza. KFOR-i nuk ndërhyn kurrë në lirinë e lëvizjes së individëve nëpër Kosovë”, thuhet në reagimin e KFOR-it.
KFOR-i thotë se do të vazhdojë të ofrojë mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.
“KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), respektivisht, me të cilët punojmë në koordinim të ngushtë. Ne vazhdojmë të bashkëpunojmë me institucionet në Kosovë në baza ditore”, vijon tutje njoftimi