PDK dhe LDK thonë se po rikthehen fuqishëm në diasporë. Dy partitë opozitare i kanë shtuar përpjekjet për t’i bindur mërgimtarët të votojnë për to, ndërsa zgjedhjet parlamentare po afrohen.
Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës janë angazhuar seriozisht me aktivitete në diasporë, të bindur se ndikimi i mërgimtarëve në vend mbetet i madh edhe në zgjedhje.
Këto ditë, zyrtarë të lartë të PDK-së e LDK-së ishin në Zvicër, ndërsa me afrimin e zgjedhjeve parlamentare, angazhimi i tyre nuk mbetet vetëm në shtetin helvetik; është intensifikuar edhe në Gjermani dhe nuk mungon mobilizimi as në shtetet tjera europiane ku jetojnë shqiptarë të Kosovës.
Përveçse garë për ta fituar mbështetjen e mërgimtarëve, kjo duket edhe si garë ndërmjet dy partive më të madhe opozitare që synojnë të dalin mbi njëra-tjetrën në zgjedhjet e radhës.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi sot publikoi në Facebook fotografi nga një manifestim “shumë madhështor” në Zvicër, ku ishte edhe vetë.
“Për dekada të tëra, mërgimtarët sakrifikuan dhe kontribuan pa u lodhur për popullin, lirinë dhe shtetin tonë. Tani, bashkë dhe më të fortë, po bëhemi gati që Kosovën ta nxjerrim edhe nga mjerimi politik dhe ekonomik në të cilin është zhytur – sepse ky është obligim i përbashkët. Faleminderit për këtë organizim të mrekullueshëm Ragip Xhaka dhe Dega e PDK-së në Zvicër. Me një mërgatë të tillë, të bashkuar dhe të vendosur, Kosovën e presin ditë më të mira!”, shkroi ai.