Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se partnerët kyçë tregtarë të Kosovës janë shtetet e Bashkimit Evropian.
Në Samitin për investime në Ballkanin Perëndimor, të mbajtur në Londër, Kurti u pyet për partneritetin tregtar me shtetet që nuk e njohin Kosovën. Ai tha se një nga to është Rusia, me të cilën, Kosova, sipas tij, nuk do partneritet.
“Partnerja jonë kyçe tregtare është BE-ja dhe ne duam që ta forcojmë dhe thellojmë këtë bashkëpunim”, tha Kurti në samitin e organizuar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
“Ne nuk kemi raporte me Federatën Ruse, ne i kemi vendosur sanksione Federatës Ruse. Ne duam që Ukraina të fitojë dhe na duhet e gjithë Evropa demokratike dhe bota të shohim Kremlinin dhe presidentin despotik [Vladimir] Putin të mposhtur. Nuk jemi duke bashkëpunuar me ta, edhe nëse ata do të donim, ne nuk duam. Kemi disa importe nga Kina, por shtetet e BE-së janë partneret tona kyçe tregtare”, shtoi ai.
Gjatë panelit të diskutimit, ku morën pjesë gjashtë kryeministrat e shteteve të rajonit të Ballkanit Perëndimor u tha se përmirësimi i infrastrukturës rrugore, hekurudhore e detare, tranzicioni në energji të gjelbër, por edhe zbatimi i reformave për përmirësimin e mjedisit biznesor janë tri prioritetet kyçe të këtyre shteteve, sa i përket tërheqjes së investimeve të huaja.
Në Londër, udhëheqësit e gjashtë shteteve ballkanike thanë se pozita gjeografike e tyre, që shërben si lidhje me pjesë të ndryshme të Evropës, bën që rajoni të jetë tërheqës për investitorë të huaj.
Nga BERZHI, Shqipëria dhe Serbia u vlerësuan për punën e tyre sa i përket tranzicionit në energji të gjelbër. Shqipëria tha se tashmë varet krejtësisht nga energjia diellore dhe ajo me erë, ndërkaq edhe shtetet e tjera të rajonit, përshirë Kosovën, njoftuan për planet e tyre për të përdorur resurset e ripërtërishme për energji.
Kryeministri Kurti përmendi përmbylljen e ankandit për një park të energjisë diellore në Kosovë, me kapacitet prodhimi prej 100 megavatësh në orë. Ai paralajmëroi për një projekt të ngjashëm, por me energji të erës, më vonë gjatë këtij viti.
Lidhjet më të mira mes shteteve të rajonit, gjatë samitit, u tha se ndihmojnë Ballkanin Perëndimor të lëvizë drejt tregut të përbashkët të Bashkimit Evropian. Në këtë drejtim, të gjashtë shtetet ballkanike përmendën projektet e tyre rrugore, hekurudhore që lidhin më mirë me njëra-tjetrën dhe me pjesën tjetër të Evropës.