Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Themelore në Mitrovicë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj personit që u arrestua dje, i cili kishte improvizuar një laborator droge në një dhomë të shtëpisë së tij.
“Mitrovicë, 26 shkurt 2024 – Prokuroria Themelore në Mitrovicë, Departamenti i Krimeve të Rënda, pranë Gjykatës Themelore në Mitrovicë, ka paraqitur kërkesë për caktimin e paraburgimit për të pandehurin R.V., pasi ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer veprat penale “Prodhimi dhe përpunimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope, analoge apo veglave, pajisjeve apo materialeve narkotike” nga neni 268 lidhur me nenin 31 e 275, dhe “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit “ nga neni 272 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.”
Në njoftim thuhet se “i pandehuri, prej datës së pacaktuar e deri me datë 24 shkurt 2024, në shtëpinë e tij në fshatin Graniqane të Leposaviqit, pa autorizim ka prodhuar, kultivuar përpunuar dhe nxjerrë ose përgatitur substanca preparate që janë shpallur si narkotikë ose substanca psikotrope, në atë mënyrë që i pandehuri në shtëpinë e tij i ka përshtatur dy dhoma në laborator duke shfrytëzuar aparatura të llojeve të ndryshme ku ka arritur që të kultivojë dhe prodhojë bimë të ndryshme narkotike”.
“Gjatë kontrollit nga policia në shtëpinë e të pandehurit, në njërën nga dhomat janë gjetur njëzetetre (23) saksi të mbjella me bimë të dyshuara të kanabisit me gjatësi 80.185 cm, llamba elektrike me nxemje elektrike, nxehëse që mban temperaturë konstante, foli alumini me të cilin ishte mbuluar dhoma dhe preparate për kultivimin e bimëve narkotike, ndërsa dhoma tjetër ishte djegur dhe janë vërejtur pajisjet e djegura që janë shfrytëzuar për kultivimin e bimëve narkotike.”
Seanca dëgjimore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit pritet të mbahet sot.