Duke pasur parasysh se Rusia ka humbur kapitalin e saj diplomatik për shkak të luftës në Ukrainë, Serbia tani po mbështetet më shumë te Kina, thotë në një intervistë për The Geopost, Ana Krstinovska, presidente e Institutit ESTIMA në Maqedoni të Veriut.
Krstinovska, e cila ka shkruar një hulumtim akademik, për (jo)marrëdhëniet Kosovë – Kinë thekson se Ballkani po përballet me propagandën kineze, teksa thekson se janë Serbia dhe rajoni i Republikës Srbska që po i nënshtrohen këtij ndikimi.
Sipas saj, ka një lidhje të drejtpërdrejtë midis asaj që bën Kina në nivel global dhe asaj që ndjehet si pasojë në rajonin e Ballkanit.
“Ne definitivisht nuk jemi të imunizuar ndaj kësaj dhe gazetarët duhet të jenë punëtorët e vijës së parë që do të nxisin debatin publik në mënyrë që qytetarët tanë të formojnë një opinion të informuar për praninë kineze”, thotë ajo.