Korporata Energjetike e Kosovës ka bërë të ditur të enjten se ushtrues detyre i kryeshefit ekzekutiv është emëruar Bekir Gërguri.
Për këtë emërim ka reaguar Visar Azemi, anëtar i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), i cili përmes një postimi në Facebook, ka thënë se Gërguri ka qenë se kandidat për asamble në Obiliq nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje.
Azemi ka thënë ndër tjerash se Nagip Krasniqi përballet me drejtësinë, ndërkaq VV-ja në vend të tij e emëron një militant.
Sipas tij, pushteti i Lëvizjes Vetëvendosje “tenton të kapë gjithçka”.
“Derisa ish-kryeshefi ekzekutiv i Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi, përballet me drejtësinë si i dyshuar për dallavere të shumta dhe keqpërdorim detyre, sot është emëruar Bekir Gërguri në pozitën e ushtruesit të detyrës së Kryeshefit Ekzekutiv të kësaj ndërmarrje. Bekir Gërguri ka qenë hiç më pak se kandidat për asamble në Obiliq nga partia në pushtet, LVV. Keqpërdoruesi Krasniqi u zëvendësua me një militant tjetër. Një dëshmi shtesë që kjo qeveri ka për qëllim kapje e çdo ndërmarrjeje, çdo bordi e çdo institucioni”.
“Gjendja në KEK dihet mirëfilli se si është. Keqmenaxhimi nga njerëzit e pushtetit aty, i ka kushtuar Kosovës disa herë me miliona. Edhe keqpërdorimet për interesa partiake apo klanore duket se koston e kanë milionëshe. Ndërkohë që këto shumë janë taksa të qytetarëve të vendit, ata vazhdojnë ta paguajnë rrymën e shtrenjtuar dy herë nga Albin Kurti. Rëndë e më rëndë për ta, e rehatime për militantë dhe favorizime për mafinë energjetike. Ky është pushteti që tenton me i kapë KREJT. Kjo është qeveria që po punon që gjithë shtetin me çu DREJT humnerës. Kjo është KREJT dhe DREJT e Vetëvendosjes”, ka thënë Azemi. /Gazeta Express