Deklarata e zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi se ka refuzuar një ftesë të Bashkimit Evropian për të biseduar lidhur me çështjen e ndalimit të dinarit serb në Kosovë dhe akuzat ndaj emisarit të posaçëm për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, u cilësuan si të papranueshme.
Kështu ka deklaruar zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, i cili tha se kjo ftesë nuk specifikonte se kush prej secilës palë duhej të merrte pjesë në takim.
BE-ja e ka ftuar Kosovën dhe Serbinë për të biseduar për këtë çështje, takim ky që parashihet të mbahet më 27 shkurt.
“Përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme dhe siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, është takuar me presidentin serb, Vuçiq dhe kryeministrin e Kosovës, Kurti në Mynih fundjavën e kaluar, ku është diskutuar kjo çështje. Në vijim të këtyre takimeve, Lajçak ka ftuar dy palët të vijnë në Bruksel të martën, më 27 shkurt.
Mirëpo, në letrën e ftesës nga Lajçak nuk është specifikuar se kush duhet të përfaqësojë Kosovën dhe Serbisë – kjo është lënë në dorë palëve.” – thuhet në përgjigjen e Stanos.
Kjo përpjekje siç tha Stano, do të duhej të vlerësohej nga Bislimi, e jo të akuzojë zyrtarët e BE-së – duke e quajtur këtë sjellje të papranueshme.
“Shpresojmë që z. Bislimi do ta vlerësonte përpjekjet, në vend që në mënyrë të pabazë, t’i akuzojë zyrtarët e BE-së. Një sjellje e tillë është e papranueshme”, tha Stano.
Stano tutje tha se Bashkimi Evropian po përpiqet që të gjejë një zgjidhje për problemin e krijuar nga “vendimi i pakoordinuar i njërës palë, i cili nuk i ishte komunikuar paraprakisht popullatës në të cilën ndikon”.