Memli Krasniqi takon diplomatët perëndimorë, u kërkon heqjen e masave të BE-së

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka pritur në selinë e partisë diplomatë perëndimorë, me të cilët ka diskutuar zhvillimet aktuale politike në vend.

Në takimin me shefin e zyrës së BE-së, ambasadorin Tomas Szunyog, Ambasadorin e Francës, Olivier Guerot, Zëvendës-Ambasadorin e Gjermanisë, Matthias Conrad dhe Zëvendës-Ambasadorin e Italisë, Ugo Ferrero, Krasniqi tha se ua ka shprehur shqetësimin në lidhje me situatën e vështirë politike dhe ekonomike në të cilën ndodhet vendi.

“Nga ta, para se gjithash, kërkova që të ndihmojnë në heqjen e sanksioneve të BE-së ndaj Republikës së Kosovës. Qytetarët tanë nuk duhet të vuajnë pasojat e një Qeverie të papërgjegjshme dhe jobashkëpunuese”, ka thënë Krasniqi në një postim në Facebook.

Ai tha se ambasadorët i ka siguruar se PDK-ja do të vazhdojë të angazhohet seriozisht dhe të luajë rol konstruktiv në procesin e integrimit euro-atlantik të vendit, “si vizion i kamotshëm i yni dhe rrugë e vetme drejt zhvillimit dhe përparimit”. /Klankosova.tv