Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, vlerëson se qeveria e tanishme e drejtuar nga Albin Kurti ka shpërndarë mjete pa kritere dhe pa koncept.
“Në buxhetin e vitit 2024 ndarja buxhetore për skema pensionale është diku rreth 550 milionë euro ndërsa për skema sociale diku rreth 158 milionë euro. Pra, kjo qeveri ka dështuar me skemat pensionale dhe reformat sociale të cilat tani më janë tejet parciale, karshi nevojës për një qasje të integruar për reformë”, ka shkruar Tahiri, transmeton KlanKosova.tv.
“Në krah të kundërt me reformën, qeveria ka shthurur strukturat institucionale, duke e shkrirë Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, i është larguar programit qeverisës si dhe ka devijuar në tërësi agjendën legjislative në këtë fushë. Në vend të reformës, rritjes së barazisë e sigurisë sociale, ka ndarë ‘lëmoshë’, praktika këto të këqija për të konsoliduar një sistem të mirëfilltë”.
Sipas tij pasojat e këtyre dështimeve janë afatgjata dhe që shtyjnë qytetarët të migrojnë.
“Pasiguria sociale, mungesa e sigurimit shëndetësor si dhe pabarazia janë rritur. Shto këtu edhe se dialogu social ka arritur në pikën më të ulët. Për këtë, si Grup Parlamentar, kemi zhvilluar një seri diskutimesh me sindikatat. E, mbesim të vendosur të shtyjmë përpara në Kuvend, nisma legjislative që kthejnë vëmendjen e institucioneve ndaj qytetarëve, në veçanti zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për ndryshimin e ligjit diskriminues të përvojës së punës, ndaljen e tendencës përjashtuese të veteranëve nga përllogaritja e pensionit në nivel të pagës minimale, kërkesat e vazhdueshme për ngritje pagash, e së fundi kërkesa për seancë për trajtimin e Ligiit të Sigurimeve Shëndetësore”.