Më ftesë të Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Finlandës gjatë qëndrimit në Finlandë, ministri Maqedonci zhvilloi takim me ministrin e Mbrojtjes, Antti Häkkänen, si dhe një varg takimesh me drejtori të ndryshme të kësaj Ministrie.
Temë diskutimi të këtij takimi ishin zhvillimet e fundit të sigurisë në regjionin e Ballkanit Perëndimor, me theks të veçantë ministri Maqedonci e njoftoi ministrin Häkkänen rreth situatës së sigurisë në Republikën e Kosovës dhe kërcënimeve me të cilat po ballafaqohet vendi ynë. Gjithashtu, e informoi rreth zhvillimit të kapaciteteve të mbrojtjes dhe nevojës për mbështetje nga partnerët, në këtë kohë kur demokracia dhe siguria globale po cenohet nga qasja hegjemoniste e akterëve autokratik.
Ministri Häkkänen theksoi se Finlanda do të vazhdojë të mbështesë fuqishëm integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe anëtarësimin në NATO, si dhe shprehu gatishmërinë e tij dhe të Ministrisë së Mbrojtjes së Finlandës për të thelluar bashkëpunimin me Republikën e Kosovës në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
Gjatë takimit u diskutua edhe për nevojën e vazhdimit të mbështetjes së luftës së drejtë të popullit të Ukrainës si dhe mundësitë për bashkëpunimin në mes të vendeve tona në fushën e industrisë së mbrojtjes.
Në Ministrinë e Mbrojtjes së Finlandës, ministri Maqedonci zhvilloi takime edhe me drejtuesit e Drejtorisë së Politikave të Mbrojtjes dhe Burimeve Materiale.
Gjatë vizitës në Finlandë vizitoi edhe Qendrën e Eksellencës së NATO-s dhe BE për kërcënimet hibride (Hybrid CeO). Me drejtoreshën e kësaj qendre diskutuan mundësitë e bashkëpunimit të ndërsjellë, me qëllim përballimin me kërcënimet hibride.