Guvernatori i Bankës Qendrore, Ahmet Ismaili e ka pritur me mëngjes Ambasadorin e Austrisë, Georg Schnetzer.
Një prej temave kyçe të takimit të tyre, ka qenë rregullorja e këtij institucioni për operacionet me paratë e gatshme.
Ahmeti i ka treguar mysafirit se rregullorja avancon integritetin e sistemit financiar dhe përafron Republikën e Kosovën me standardet e BE-së, si dhe ajo nuk ndalon apo kufizon pranimin e mjeteve në llogaritë bankare në euro dhe as nuk kufizon aktivitetin këmbimor që kryhen nga institucionet financiare bankare ose jobankare të licencuara nga BQK.
“Ambasadori Schnetzer u njoftua edhe për Planin e BQK-së për zbatimin e kësaj Rregulloreje në praktikë, si dhe veprimet për lehtësimin e efekteve të saj, krahas angazhimit konstruktiv të BQK-së për lehtësimin e transferimit të mjeteve sipas modelit të propozuar dhe gatishmërisë për të diskutuar opsionet e mundshme ligjore”, thuhet në kumtesë, transmeton KlanKosova.tv.
“U theksua se BQK në mënyrë aktive po vazhdon me aktivitete të informimit dhe sensibilizimit, përfshirë lëshimin e linjës pa pagesë të dedikuar për qytetarët tanë dhe materiale tjera informuese, duke ftuar ata që ende nuk kanë llogari të hapin një të tillë në njërën nga bankat, e cila për grupe të cenueshme nuk ka tarifë të hapjes e as të mirëmbajtjes, nga 1 janari 2024 sipas Rregullores së BQK-së për Qasje në Llogari Pagese për Shërbime Bazike”.
Në këtë takim është folur edhe për nismat për avancimin e sistemit financiar, përfshirë projektin për modernizimin e sistemit të pagesave dhe synimin për anëtarësimin në Zonën e Vetme të Pagesave Euro të Bashkimit Evropian, i njohur si SEPA, Kartonin e Gjelbër dhe Kodin ISO.