Presidentja Vjosa Osmani dhe ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier kanë marrë pjesë në shënimin e Ditës së Presidentit Amerikan, në sheshin “Bill Clinton” në Prishtinë.
Osmani foli se si Clinton ishte bërë zë i Kosovës në kohën kur dhuna ndaj kosovarëve “kishte arritur në shkallën e gjenocidit”.
Nga afër shtatores së Clintonit, Osmani tha se angazhimi i presidentit aktual të SHBA-së, Joe Biden për Kosovën ka nisur që herët dhe se ai ka dëshmuar se është mik i madh i Kosovës dhe popullit të saj.
“Mbështetja e presidentit Biden është testament i vërtetë për lidhjet e thella të miqësisë që kanë përcaktuar prej kohësh partneritetin tonë”, tha Osmani.
“Ai nuk i kupton vetëm aspiratat tona për liri dhe demokraci. Ai qëndron krah për krah me ne në provën tonë të vazhdueshme për të forcuar këto ideale”, theksoi ndër tjerash presidentja e Kosovës.