Osmani: Kosova në 16 vite shtet, lë pas vendet e rajonit në shumë fusha

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka folur në një intervistë për median arabe “Al Aan” për rrugëtimin e Kosovës në këto 16 vite shtet.

Osmani ka thënë se Kosova ka bërë përparim të jashtëzakonshëm në 16 vitet e fundit në kaq shumë fusha, duke filluar nga procesi i shtet ndërtimit te zhvillimi i demokracisë.

“Në të gjitha aspektet, Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm dhe tani ia kalon edhe vendeve të tjera në rajon dhe më gjerë, nëse mund të them në kaq shumë nga këto fusha. Edhe raportet ndërkombëtare që publikohen herë pas here tregojnë se Kosova është kampione në fushën e demokracisë dhe të drejtave të njeriut dhe luftimit të krimit dhe korrupsionit, pra përgjithësisht në sundimin e ligjit”.

E para e vendit thotë se ajo që është më e rëndësishmja është se Kosova është një histori e përbashkët suksesi e popullit të Kosovës, e institucioneve të Kosovës dhe e bashkësisë ndërkombëtare.

“Është një dëshmi se çfarë mund të arrijnë vendet që vërtet mbrojnë vlerat kur punojnë së bashku, kur qëndrojnë së bashku përballë regjimeve hegjemoniste dhe regjimeve gjenocidale dhe në fakt luftojnë për liri, për pavarësi dhe demokraci”.

“Që nga viti 2008 kur shpallëm pavarësinë, praktikisht duhej të ndërtonim aq shumë nga ato që kemi sot nga e para, të ndërtonim institucione që nuk i kishim kurrë më parë, të sigurohemi që këto institucione të kenë disa nga proceset më demokratike dhe administrative”.

Osmani thotë se pavarësisht sfidave dështimi nuk shihet si opsion.