Faton Peci nga Lista Guxo thotë se nuk i komenton raportimet që flasin për largimin e deputetes Doarsa Kica-Xhelili nga kjo parti. Sipas tij, nëse deputetja ka diçka për të thënë i takon të deklarohet, ndërsa shton se nuk kanë ndonjë qartësim nga ana e saj lidhur me këtë çështje.
“Ne presim qëndrimet nga deputetja në fjalë, përderisa nuk e kemi një qartësim të saj, ne vazhdojmë me mendu që ato janë pjesë e diskutimeve ose shkrimeve në nivel gazetarese”, thotë ai për KosovaPress.
https://permbledhja.com/gazetarja-ukrainase-ukraina-eshte-me-afer-se-kurre-njohjes-se-kosoves/
Ai thotë se Lista Guxo është në rrugën e duhur drejt realizimit të të gjitha zotimeve që i ka bërë në zgjedhjet e fundit nacionale.
“Kushdo që mund të shpreh ndonjë pakënaqësi unë jam shumë kurioz me i kuptuar ose me e dite se cila është ajo pakënaqësi, posaçërisht marrë për bazë që thjeshtë ne, të gjitha zotimet dhe premtimet publike që i kemi dhënë në zgjedhjet e fundit nacionale, besoj jemi në rrugë shumë të mirë në realizim e sipër, kështu që pjesën e shkrimeve gazetareske unë nuk i komentoj, në rast se ka diçka për të thënë deputetja në fjalë i takon asaj që të deklarojë”, ka thënë ai.
Ai shton se në Listën Guxo aktualisht ka një atmosfere pune dhe organizim për Kuvendin Qendror që pritet ta mbajnë javën e ardhshme.
Faton Peci i cili drejton Ministrinë e Bujqësisë flet edhe për mbështetjen që kjo ministri u jep komunave përmes granteve dhe subvencioneve.
Ai mohon se Qeveria po ofron përkrahje më të madhe për komunat që udhëhiqen nga partia në pushtet.
“Absolutisht (përkrahja) është e njëjtë për të gjitha komunat, mund të ndaj me ju një shembull, në kuadër të investimeve kapitale për kategorinë e investimeve në sektorin e ujitjes, ne kemi nënshkruar memorandume me tetë komuna, prej tyre dy komuna që u është ofruar përkrahja janë nga Vetëvendosje, dy janë nga LDK, dy nga PDK dhe dy nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Përkrahja ka qenë edhe në aspektin e përfaqësimit të rajoneve të Kosovës por edhe në aspektin e përfaqësimit politik, kështu që ne nuk njohim as parti politike në nivel të komunikimit me fermerët, me komunat në proces të realizimit të investimeve”, thotë ministri i Bujqësisë.
Ai thotë se Ministrinë e Bujqësisë e ka gjetur në një situatë të palakmueshme, ndërsa shton se nga fillimi i punës, kjo ministri ka punuar më shumë se të gjitha mandatet e kaluara.
“Fatkeqësisht gjendja në të cilën e kam marrë Ministrinë e Bujqësisë ka qenë në një situatë tejet të palakmueshme, vetëm në një kategori borxhet ndaj fermerëve kanë qenë 40 milionë euro, kështu që e kemi ndryshuar tërësisht ketë pjesë të mënyrës së menaxhimit dhe qasjes në Ministrinë e Bujqësisë, për 1 vit e gjysmë të udhëheqjes së Ministrisë së Bujqësisë nga unë, në këtë rast nga Qeveria Kurti 2, në rast se i marrim për bazë politikat e hartuese, dokumentet strategjike, avancimin e legjislacionit dhe përkrahjen financiare, janë më shumë sesa krejt mandatet e tjera paraprakisht”, thotë ai.
Sipas tij, aktualisht fermeri i Kosovës është më i përkrahur në rajon.
Ai përmend situatën jo të favorshme aktualisht për shkak të ngritjes së çmimit të imputeve bujqësore por sipas tij qeveria është duke e bërë më të miren e mundshme që të rrisë përkrahjen për fermerët.
“Përkrahja jonë në kategorinë e subvencioneve shkon deri në 216% , është rritje enorme dhe shumëfishim në të gjitha kategoritë e përkrahjes për fermerët, është përkrahja më e madhe në rajon, është përkrahja më e madhe ndonjëherë e realizuar në sektorin e bujqësisë. Tash ne nuk mundemi si institucione ose si vend i vogël të ndikojmë në nivelin e çmimeve të naftës ose të trendit të produkteve ose imputeve bujqësore që kryesisht kanë ardhur si rezultat i krizës energjetike, efektit të pandemisë dhe luftës në Ukrainë”, thotë ministri i Bujqësisë.