ShBA-ja sërish kërkon shtyrjen e “vendimit të njëanshëm” për dinarin

Misioni amerikan në OSBE ka kritikuar Kosovën për vendimin e BQK-së rreth përdorimit të dinarit.

Zëvendësshefja në detyrë e misionit amerikan në OSBE në Këshillin e Përhershëm në Vjenë, Tracy Newell, tha se Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për arritjen e një paqeje të qëndrueshme në Ballkanin Perëndimor.

Ajo tha më tej se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është një aspekt thelbësor i stabilitetit dhe prosperitetit rajonal.

“Ne i nxisim të dy vendet që të angazhohen në mirëbesim përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja për të forcuar demokracinë, integrimin ekonomik në BE dhe për të nxitur bashkëpunimin dhe respektin multi-etnik”, tha Newell.

Por, ajo shtoi se “vendimi i njëanshëm i Kosovës për të kufizuar importimin e dinarit serb nuk i avancon këto objektiva”.

Newell i bëri thirrje Kosovës “që të shtyjë menjëherë zbatimin e këtij vendimi dhe palët e përfshira të kërkojnë zgjidhje në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja”.

Po ashtu, në deklaratën për media të misionit amerikan në OSBE, kritikohen edhe veprimet e “pakoordinuara” të qeverisë në lidhje me mbylljen e institucioneve paralele serbe.

“Ne jemi gjithashtu thellësisht të shqetësuar për veprimet e fundit dhe të pakoordinuara që ka ndërmarrë Qeveria e Kosovës, duke përfshirë bastisjet e institucioneve të mbështetura nga Serbia dhe mbylljen e shërbimeve në të cilat mbështeten qytetarët e Kosovës. Këto veprime nuk janë në përputhje me përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për të adresuar në mënyrë konstruktive çështjet që prekin komunitetin e pakicës serbe në Kosovë përmes Dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, tha Zëvendësshefja në detyrë e misionit amerikan në OSBE në Këshillin e Përhershëm në Vjenë, Tracy Newell.

Por, kritika pati edhe për Serbinë, sidomos për rastin e sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë nga grupi i armatosur serb.

“Dështimi i Serbisë për të kërkuar përgjegjësi nga autorët e sulmeve të 24 shtatorit pranë Manastirit të Banjskës në Kosovë është i pandërgjegjshëm dhe dëmton thellësisht besimin e nevojshëm për normalizim. Menjëherë pas atyre sulmeve, ne i bëmë thirrje Serbisë që të mbajë përgjegjësi të gjithë përgjegjësit. Fatkeqësisht, duhet ta bëjmë këtë përsëri sot”.

Në këtë respekt, përfaqësuesja amerikane në OSBE tha se Kosova i dorëzoi BE-së një raport prej 48 faqesh më 26 janar, duke paraqitur gjetjet e saj për sulmin në Banjskë.

Tutje, Newell përmendi se “ish-drejtuesi i Listës Sërpska, i sanksionuar nga ShBA dhe BE, Milan Radoiçiq, ka pranuar publikisht përgjegjësinë për organizimin dhe pjesëmarrjen në sulmin në Banjskë”.

“Megjithatë, Radoiçiq dhe të tjerët përgjegjës për veprimet e tmerrshme nuk janë mbajtur përgjegjës. Serbia duhet të mbajë përgjegjës autorët dhe organizatorët e sulmit të 24 shtatorit dhe të punojë me Forcën e NATO-s në Kosovë për të siguruar që një sulm tjetër si ky të mos ndodhë më”, theksoi Newell.

Në fund, ajo ritheksoi se prioriteti i ShBA-së mbetet normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, teksa tha se të dyja vendet nënshkruan Marrëveshjen e Ohrit dhe aneksin e zbatimit të saj në shkurt dhe mars të vitit 2023, për të cilat BE-ja ka thënë se janë angazhime ligjërisht të detyrueshme.

“Ato shërbejnë si një udhërrëfyes për secilën palë për të ulur tensionet dhe për të ecur urgjentisht përpara në rrugët e tyre përkatëse evropiane. Progresi drejt paqes afatgjatë është me rëndësi jetike për popullin e Kosovës dhe Serbisë, si dhe për stabilitetin afatgjatë të rajonit”, tha Zëvendësshefja në detyrë e misionit amerikan në OSBE në Këshillin e Përhershëm në Vjenë, Tracy Newel, teksa falënderoi misionet e OSBE-së në Kosovë dhe Serbi për punën e tyre të vazhdueshme, “në kushte të vështira, për të ndihmuar që kjo të bëhet realitet”. /Klankosova.tv