Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu sot ka mbajtur konferencë për media së bashku me kryeministrin e vendit, Albin Kurti.
Haxhiu dhe Kurti kanë folur para mediave për rastin e 11-vjeçares, ku kanë kritikuar gjyqtarët e prokurorët për “neglizhencë” ndaj rasteve të tilla, shkruan lajmi.net.
Ministrja ka bërë të ditur se tashmë do të procedojë në Kuvend edhe projektligji për Vettingun.
“Po e dorëzojmë në Kuvend një proces me peshë të madhe për ne si qeveri, për shtetin, por më së shumti për qytetarët. Në vazhdimësi jemi dëshmitarë të neglizhencës, mosveprimit dhe pandëshkueshmërisë. Gjyqtarët dhe prokurorët konsiderohen se kanë pagat më të larta në rajon, por, për shkak të mosveprimeve apo veprimeve të tyre të gabuara, po humbim jetë grash, po dhunohen seksualisht të miturit, po dhunohen fizikisht gratë dhe vajzat, dhe korrupsioni i madh mbetet i pandëshkuar”, tha Haxhiu.
Tutje, Haxhiu ka thënë se reforma në sistemin e drejtësisë do të mundësojë që në këtë sistem të jenë vetëm ata që kanë integritet të lartë moral dhe profesional, të cilët gjithashtu mund ta justifikojnë pasurinë e tyre.
Sa i përket rastit të 11-vjeçares në Prishtinë, Haxhiu tha se presin edhe dorëheqje të tjera, pasi ka edhe zyrtarë tjerë që nuk i kanë kryer detyrat siç duhet.
“Ka pasur dy dorëheqje, dhe urojmë që të ketë edhe të tjera, pasi siç e kuptojmë, ka edhe zyrtarë tjerë që nuk i kanë kryer detyrat siç duhet. Kam kërkuar dorëheqjen e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë. Po të vepronte prokuroria me kohë, ata persona do arrestoheshim shumë më herët”, tha Haxhiu.
“Duhet të merren veprime ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve që nuk kanë kryer detyrat e tyre”, përfundoi ministrja.