Sekretari amerikan i shtetit arrin në Tiranë

Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken nis zyrtarisht vizitën e tij të parë në Tiranë.

Ai zbriti në aeroportin e Rinasit ku u prit nga ministri i Jashtëm, Igli Hasani,  amabsadori i Shqipërisë në SHBA, Ervin Bushati, bashkë me të dërguarin me punë të SHBA në Tiranë David Wisner.

“Mirë se erdhe Antony!  I lumtur për të mirëpritur  Sekretarin e Shtetit Antony Blinken në vizitën e tij të parë zyrtare në Shqipëri. Partneriteti dhe bashkëpunimi strategjik i Shqipërisë me SHBA-në, aleatin tonë të vjetër, vetëm sa do të forcohet, i ndërtuar mbi një themel të fortë midis vendeve dhe njerëzve tanë.  I jam jashtëzakonisht mirënjohës Sekretarit Blinken për mbështetjen dhe bashkëpunimin e tij të paçmuar”, shkruan në platformën X Hasani.

Në aeroportin e Rinasit është edhe ish-ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim.

Në tapetin e kuq janë të rreshtuar edhe disa marinsa amerikan që shërbejnë në ambasadën amerikane në Tiranë.

Nën masa të forta sigurie sekretari Blinken do t’i drejtohet Tiranës në këtë vizitë intensive 8 orëshe në Tiranë.

Rreth 1000 forca policore janë në terren për të mundësuar sigurinë dhe mbarëvajtjen e vizitës së tij në Tiranë.

Kjo është vizita e tij e parë në Shqipëri, ku pritet të takohet me presidentin, Bajram Begaj dhe kryeministrin Edi Rama.