Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit Arsim Limani, duke e dënuar me 4 vjet burgim për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm, pasi iu ricilësua vepra penale nga “Vrasje e rëndë në tentativë”.
Limani akuzohej se në mars të 2023-ës, ia dogji garazhin redaktorit të Radio Televizionit të Kosovës (RTK), Alban Selimi.
Aktgjykimi ndaj Limanit u shpall të enjten nga kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Medie Bytyqi, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Të dëmtuarit Alban Selimi dhe Flora Mehmeti-Selimi për realizimin e kërkesës pasurore-juridike udhëzohen në kontest të rregullt juridik0-civil.
Sipas gjykatëses Bytyqi, gjykata ka analizuar dhe vlerësuar provat e paraqitura nga palët dhe ka gjetur fajtor Limanin për veprën penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
Të njëjtit, në dënimin me burgim do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim, pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 18 gusht 2023, thuhet se më 16 mars 2023, në garazhin që është ngjitur me shtëpinë e tani të dëmtuarit Alban Selimi, në Fushë-Kosovë, i akuzuari Arsim Limani nga motive deri më tani të panjohura, ka tentuar që ta privojë nga jeta të njëjtin, i cili në ato momente nuk ishte në shtëpi, duke rrezikuar jetën e anëtarëve të tjerë të familjes, përkatësisht bashkëshortes së tij dhe dy fëmijëve.
Këtë tentativë, i akuzuari thuhet se e ka bërë pasi është afruar tek dera e garazhit dhe aty ka hedhur një shishe benzinë të ndezur, ku flaka ka përfshinë garazhin, e nga temperatura e lartë është dëmtuar vetura e të dëmtuarve. /Betimipërdrejtësi