Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot ka folur për Vettingun në një konferencë të përbashkët për media me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Ai para mediave ka deklaruar se janë duke vazhduar punën e tyre si Qeveri në aspektin e reformës së drejtësisë.
“Puna e nisur nuk mund të mbarojë pa Vettingun dhe sigurimin që institucionet e parandalojnë krimin, gjykatat japin dënimet e merituara, burgjet rehabilitojnë të dënuarit, kurse qytetarët kthejnë besimin në rendin dhe ligjin, e ndjehen të sigurt, e që për detyrë e ka shteti”, ka thënë ai.
Tutje, Kurti ka thënë se pas konferencës do t’ia dorëzojnë dokumentin përkatës për Vettingun kryetarit të Kuvendit të Kosovës.
“Për këtë mbetemi të përkushtuar, pas konferencës do të shkojmë për takim me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, të cilit do t’ia dorëzojmë edhe dokumentin përkatës, meqenëse nga qeveria, tani deputetët e marrin në duart e tyre procedimin e mëtutjeshëm të Vettingut”, ka thënë Kurti.