Ka vdekur Beqir Krasniqi, i mbijetuari i masakrës së Pastaselit dhe dëshmitari i Tribunalit të Hagës.
Kështu ka bërë të ditur kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi përmes një postimi në Facebook.
Latifi ka ndarë ngushëllime për familjen e të ndjerit dhe ka kujtuar masakrën në Pastasel dhe se si shpëtoi Krasniqi.
Ndërkaq Latifi tha se gjurmët e gjenocidit serb po shuhen dita ditës.
“Me pikëllim të thellë mora lajmin për vdekjen e njeriut të mirë e të respektuar, Beqir Krasniqit nga fshati Pastasel, i mbijetuari i masakrës së Pastaselit dhe dëshmitari i Tribunalit të Hagës. Në ditën kur forcat barbare serbe ekzekutuan dhe masakruan 106 qytetarë shqiptarë në fshatin Pastasel, bacën Beqir, vetëm një fije e hollë e ndante nga vdekja, por, për fatin e tij të mirë, shpëtoi për t’u bërë rrëfimtar dhe dëshmitar i gjallë i atij tmerri”, shkroi Latifi.
“Nga dita në ditë po shuhen gjurmët e gjalla të gjenocidit serb mbi popullin shqiptar. U përulemi me nderim të veçantë veprës dhe kontributit jetësor të Beqir Krasniqit! Ngushëllime familjes Krasniqi! Qoftë i paharruar kujtimi për bacën Beqir e shpirti i tij pushoftë në paqe!”.